Thursday, July 12, 2012

Një komb dy shtete, një shqipe dy koka - Ilir Vata


Fillimi | Opinione | Një komb dy shtete, një shqipe dy koka - Ilir Vata

Një komb dy shtete, një shqipe dy koka - Ilir Vata

Një komb dy shtete, një shqipe dy koka - Ilir Vata


Realiteti gjeopolitik në rajonin e Ballkanit, solli si nevojë e domosdoshmërisë një klimë të re favorizuese për këtë rajon me histori gati-gatit më shumë se gri, që ka mbizotëruar në më shumë se një shekull. Vetëm katër vite nga pavarësia e Kosovës dhe rajoni ka qenë më kuptimplotë me stabilizues dhe ajo që duhet lançuar është fakti se iu dha fund gjenocidit në rajonin më të trazuar të Europës. Politikanë të mëdhenj, shtete nga e gjithë Bota, mbështetën lirinë e shqiptarëve, çlirimin e tyre nga gllabëria barbare e nacionalizmave ekstreme serbe dhe fillimin e një realiteti të ri në këtë rajon. Fatkeqësisht, disa shtete të BE-së përfshirë dhe Greqinë e Qipron, apo vende të tjera që kanë vuajtur nga regjimet ekstreme nuk e kanë mbështetur Kosovën, ndonëse shteti i 88 vjen nga Uganda, që sinifikon një nga vendet që ka parë gjenocidin më të tmerrshëm në Botë. Parë në këtë këndvështrim vendet e qytetëruara, (anëtare të organizmave ndërkombëtarë e që kanë njësuar kartën e të drejtave të njeriut,) vazhdojnë të rrinë në errësirë dhe të mbajnë mbi supe peshën e fajit për rrethana të errëta e egoiste, pasi jo pak herë nacionalizmat e tepruara po i mbajnë peng, jo vetëm në rrafshin e dimensioneve të lirive të popujve dhe të sovranitetit të tyre, por dhe ushqimin e shpresës së vjetër, nacionalizmin primitiv në kohë moderne.
Ky lloj nacionalizmi primitiv, i ushqyer nga politikanë të lidhur me të kaluarën, apo grupe njerëzish që ora u ka ngelur te madhështia e rreme, te regjimet e së kaluarës, te diktaturat e rrëzuara, agjenturat e vjetra që ngatërruan Ballkanin, po bëhen precedentë publikë më shumë qesharakë sesa nxitës të realiteteve të reja. Ky lloj sindromi nacionalizmi ka kapur në një farë mënyre të gjithë popujt e Ballkanit, por kohët e fundit kjo frymë ka filluar të mbillet dhe ndërmjet shqiptarëve në treva të ndryshme të rajonit. Demonstrimi i flamurit nën frymën e nacionalizmit, thjeshtë për të përfituar benefice politike apo amtute të tjera qofshin personale apo të grupimeve të caktuara, është në dëm të realitetit të ri, integrimit të rajonit dhe ajo që duhet theksuar është fakti se abuzohet, jashtë çdo morali me termin nacionalizëm. Sovraniteti i një kombi është një dhe i pandashëm, si për Shqipërinë ashtu edhe për Kosovën, apo vende të tjera. E drejta ndërkombëtare, vlen për të gjitha kombet dhe duhet respektuar nga të gjithë. Çdo indicje individësh apo grupimesh në emër të nacionalizmit me fjalë, janë thjeshtë sloganë që ndikojnë negativisht dhe aq më keq kur nacionalizmat përdoren thjesht për të shkëputur vota për pushtetin e një grushti njerëzish. Tundimi para flamurit është i logjikshëm, pasi një komb ka simbolet e veta, heronjtë e saj, gjuhën, kulturën dhe territorin që e bëjnë çdo qytetar të krenohet për vendin e tij, por kur flamurin e përdorin si në lojën me dema ndaj njerëzve për të vetmin shkak, manipulimin e tij thjeshtë për ambicie politike, kjo është gjëja më e ulët që mund të bëjë një individ, (qoftë ky dhe politikan) ndaj vendit të tij.
Në rajonin e Ballkanit ka lindur një politikë e re moderne, përtej kufijve, nacionalizmave apo mërive shekullore, integrimi në BE apo Aleancën e Atlantikut, marrëdhënie të reja po lindin çdo ditë në përputhje me vlerat e njeriut dhe vlerat kombëtare. Nxitësit e bashkimeve të territoreve, apo hedhjen e vëzhgimeve për rishikim të kufijve në Ballkan, janë thjeshtë pasthirrmat e diktaturave apo ideatorëve të krimeve e gjenocideve, që duket që vijnë nga e shkuara, apo humnera e varreve të tyre. Sigurisht që nuk është turp të thuash që Kosova të Bashkohet me Shqipërinë dhe madje në zërin e brendshëm të çdo shqiptari ai gëlon shumë, por zemërgjerësia nuk vlen në këto raste, por duhen thjeshtë respektimi i konventave ndërkombëtare. Dhe ligjërisht ka dy bashkime, bashkimi vullnetar nëpërmjet referendumeve të dy vendeve dhe bashkimi juridik në bazë të së drejtës ndërkombëtare.
Realiteti aktual qëndron bukur, “Një komb, dy shtete dhe Një shqipe, dy koka”. Shumë krijues, shoqata, parti politike ndër vise shqiptare, madje dhe në Shqipëri kanë simbolizuar në qëndrimin e tyre politik dhe atë grafik, shqipen me një flatër apo me një kokë, por kohët e fundit të gjithë janë paqur dhe dashje padashje ky realitet u ka ardhur më afër se kurrë dhe 100-vjetori do të jetë festë e kombit dhe e të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen. Nacionalizmat greke, që shpeshherë kanë shërbyer për të mbjellë urrejtje, apo nacionalizmat serbe, apo nacionalizmat e “majmunëve” së fundmi në Maqedoni kanë elektrizuar dashje padashje dhe shqiptarët dhe kemi parë që u janë përgjigjur me të njëjtën monedhë. Këto gjëra jemi mësuar ti shohim jo rrallë përgjatë gjithë këtyre viteve dhe në vende demokratike janë normale, ndonëse veprimet e tyre janë të dënueshme sipas Kodit Penal, pasi simbolet e një shteti apo shteti tjetër mbrohen me ligj. Por, rreziku nuk qëndron këtu, por te ata politikanë sharlatanë që kërkojnë në emër të nacionalizmit të sigurojnë kolltukun e tyre pa ditur se këto veprime janë të turpshme dhe të pamoralshme në dëm të të gjithë rajonit.
Gjatë komenteve të kohëve të fundit, këta lloj prototipash janë quajtur përfitues të pavlerë e që në emër të vlerave kërkojnë të bëhen dikush, por tashmë është vonë. Ballkani ka kaluar në një sfond më të gjerë politik, integrimi i të gjithë rajonit. Historia ka lënë shumë shqiptarë jashtë kufijve shtetërorë, ashtu si dhe shumë kombësi të tjera jetojnë në shtete të ndryshme dhe bota është një dhe çdokush zgjedh vetë se ku të jetojë. Ne jemi ballkanas, por europianë dhe kjo është e ardhmja e shqiptarëve dhe e gjithë Ballkanit.

No comments:

Post a Comment