Ballkani nën politikën e nacionalizmit primitiv
Shkruan : Ilir VATA
Egoizmi i disa politikanëve në rajonin e
Ballkanit, kohët e fundit ka sjellë në fokusin e rajonit raste ekstreme
si në Shqipëri, Serbi, Greqi dhe kryesisht në Maqedoni, madje në veriun
e Kosovës po ndërmerren aksione konkrete ndaj shqiptarëve të atjeshëm,
deri në atë masë sa shqiptarët po përballen me një spastrim të ri,
ndërsa kryefamiljarët po bëjnë roje kodrave përreth. Kjo ekspoze
njëfrazëshe, lë të kuptohet se qarqe të caktuara e kanë mbajtur lart
ekstremizmin për gjatë gjithë këtyre viteve në treva të ndryshme të
rajonit dhe në shënjestër kanë qenë flamujt, simbolet dhe territoret.
Një shtet ndihet i fyer kur i preken pikërisht simbolet dhe në aspektin
juridik të të drejtës ndërkombëtare është veprimi i parë nxitës që i
paraprin ekstremizmit për aksione të mëtejshme. Nxitësit e ekstremizmit
janë pikërisht, struktura që janë të lidhura me të kaluarën e afërt
komuniste, apo mbrojtësit e zellshëm të komunizmit që gjithçka e kanë të
lidhur me ta. Ndër to numërohen edhe politikanë, e kjo ndodh pikërisht
në momentet elektorale, siç pame liderin ekstremist serb, që deklaron se
“nuk e lëshojmë Kosovën, apo partinë ekstremiste greke që përmend
Vorio-Epirin”. Edhe në Shqipëri ka tendenca të tilla madje subjekte të
caktuara siç edhe janë quajtur të kuqtë, kanë në themel nacionalizmin e
kombit…!
Që në fjalën komb, që lançohet nga këta
ekstremistë, duket qartë se slogani është tipik komunist, …kombi im
është më i mirë se i yti…! Vjen nga manifesti, atdhetarët i thonë atdhe.
Këta mbështillen me flamuj dhe “qajnë” për bashkim trojesh thjeshtë për
përfitime politike, apo fundja sa mund të tërheqin vota për të siguruar
kolltukun e tyre të pritur apo të thyer. Imitime të tilla primitive
janë prapambetje shkollash, botëkuptimesh, apo thjeshtë egoizma të
paguara, që në fund të fundit ndikojnë sadopak në prishjen e vetë
misionit të Ballkanit, për t’u integruar në Bashkimin Europian, apo për
të ulur besueshmërinë e diplomacisë, që Ballkani noton ende në ujërat e
vjetra.Burime të besueshme bëjnë me dije se ka dhe nga ata që kanë
paguar në Gostivar për të djegur flamurin shqiptar, thjeshtë për të bërë
një deklaratë për shtyp në Tiranë, apo për të nxitur të rinj në Burrel,
apo Himarë për të djegur flamujt e shteteve fqinje. Në Maqedoni,
ekstremistët u vetëquajtën “Majmunë”, në Shqipëri kanë vënë shkabën në
supe, në Greqi me kazma gërmojnë në primitivizmin shekullor, e modele që
ngjajnë njësoj me kanunin e Lekë Dukagjinit. Por siç edhe kanuni ka
hapur plagë, nga paaftësia e sistemit të drejtësisë, ashtu edhe
nacionalizmi po sjell probleme dhe së fundmi pak ditë më parë pati katër
të vrarë e shumë raste të mëparshme. Notimi në ujëra të vjetër të vetë
primitivizmit për të fituar benefice politike është jo vetëm amoral, por
gjeja më e shëmtuar e politikanëve rajonalë e aq më keq të atyre
shqiptarë, ku shqiptarët kanë qenë nën provën e padrejtësive
territoriale.
Ballkani tashmë ka hyrë në një fazë
krejt tjetër nga ajo që jemi mësuar të shohim, popujt tanë po
bashkëjetojnë me njeri tjetrin dhe kultura, arti, muzika, veshjet,
gjuha, kanë ndërsjellë vlera të përbashkëta dhe ngjashmëri të
padiskutueshme. Vetëm këto 20 vite, ballkanasit kanë emigruar në të
gjithë botën dhe kryesisht në Europë dhe tashmë ata bashkëjetojnë si
europianë. Një nga problematikat sociale sot janë dyndjet e ndërsjella
në të gjithë botën, falë lirive të individit dhe thyerjen e kufijve, apo
lëvizjes së lirë. Edhe Ballkani, si më i vonuar në këtë aspekt për
shkak të luftrave dhe të nacionalizmave ekstremistë, tashmë po shkëputet
nga primitivizmi i kufijve dhe izolimit, e po lëviz i lirë. Kufijtë
tashmë rrinë vetëm në kuptimin institucional, të sovranitetit
territorial të garantuar nga konventat ndërkombëtare, por në kuptimin e
lëvizjes, tregut dhe shkëmbimeve nuk ka më kufij.Nacionalistët tanë
mediokër, egoistë dhe primitivë, thjeshtë për të përfituar politikisht,
flasin “si e ëma e Zeqos në majë të thanës”, për kombe dhe flamuj, a
thua se mbeti Ballkani në dorë të disa karagjozëve politikë. Nuk është
flamuri shqiptar flamur demash, por i një atdheu që ka mbi të sakrifica
sublime në tërë historinë, po ashtu edhe të vendeve fqinjë. Politikanët
tanë që fshihen pas flamurit, kanë dalë nga kolltuku i pushtetit dhe
shqiptarët i panë sesa e donin popullin, kur i rrjepin me korrupsionin
thjeshtë për një të drejtë apo të mirë. Ishin ata shtetarë që na shitën
vendin e punës në vend që atë ta fitonim me konkurs. Kemi blerë të
drejtën tonë, kur ajo na takonte. Të dalësh nga drejtësia dhe të
shkelësh të drejtat elementare të qytetarëve, nuk do të thotë gjë tjetër
por të shkosh në gabime më të mëdha si ato të flamurit apo etnive
ndër-rajonale.
Na e valëvitin flamurin sikur ne nuk
jemi shqiptarë e në të vërtetë shqiptarët kanë varre për atdhe. Ky lloj
demonstrimi jo vetëm është i shëmtuar, por dhe provokativ dhe më e keqja
nuk qëndron në xhestet apo përfitimet vetjake, por te burimi i
financimit, apo te të interesuarit që qëndrojnë pas tyre, që kanë të
vetmin qëllim, destabilizimin e Ballkanit. Nëse BE, kërkon bashkëjetesë
dhe standarde europiane, pa pretendime territoriale, planprishësit
nxisin aty këtu vlera të tilla negative, thjeshtë për të qenë pengesë.
Ka mendime të ndryshme përsa i përket financimeve, disa mendojnë se janë
agjenturat e vjetra të komunizmit, të tjerë thonë se janë muhaxhedinet e
këtij të fundit që përdorin flamurin shqiptar si flamur demash për të
ndërsyer shqiptarët, fqinjët, apo provokuar vetë qytetarët ballkanas.
Pseudodemokratë, apo pseudopolitikanë që kërkojnë përfitime politike te
tabutë, janë njerëz që xhani u ka ngelur në skutat e të shkuarës, te
babai spiun, apo te intriga e tij e pangopësisë apo babëzisë.
Bashkimi i shqiptarëve tashmë është bërë
realitet, ata ndërsjellin shkëmbime dhe lëvizin të lirë. Sot shqiptarët
kanë nevoja jetike, kanë nevojë të bëjnë shtetin e së drejtës, të
garantojnë barazinë në treg, të jenë zot të pronës së tyre, të mos
paguajnë me taksat e tyre persekutorë, të bëhen anëtarë të BE-së ku të
kenë mundësi të jenë si të gjithë europianët. Me këta politikanë që ka
Shqipëria, të inkriminuar nga e kaluara komuniste me krimet e sigurimit
të shtetit, të korruptuar deri në grykë, ka të ngjarë të ikin dhe këta
shqiptarë që kanë mbetur. Regjistrimi i popullsisë deklaroi shifrën 2.7
milionë të mbetur në Shqipëri dhe kjo është pasojë e politikës
postkomunistë, që rëndom mund ti krahasosh me byronë politike të
komunizmit. Zemra e shqiptarëve gulçon për bashkimin, mirëqenien,
krenarinë, por politikanët tanë si ata që heshtin, si ata që nxisin
nacionalizmat, kanë misionin e heshtur të përçarjes, skllavërisë së
shqiptarëve, drejtimin e tyre me metoda diktatoriale. Brezat që vijnë,
do të dinë se ç’vend do të zënë në histori këta pehlivanë të paguar të
nacionalizmit primitiv, qofshin ata të “majmunëve” apo të “urithëve”.
Nacionalizmi primitiv i përket të shkuarës.
No comments:
Post a Comment