Takohen kryeministrat Thaçi e Daçiç
Kryeministrat e
Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiç, u takuan sot në
Bruksel, në atë që shihet si hapje e rrugës për vazhdimin e bisedimeve.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Ivica Daçiç, janë takuar në Bruksel, në prani të shefes për politikë të jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton. Takimi i tyre, që është i pari ndërmjet kryeministrave të të dyja vendeve pas negociatave për statusin e Kosovës, pasoi takimet e ndara që ata zhvilluan me zonjën Ashton.
Në një komunikatë për opinion, shefja e politikës së jashtme tha se “takimi është zhvilluar në atmosferë të mirë e konstruktive. Jemi pajtuar për vazhdimin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve dhe të dy janë zotuar për të punuar së bashku. Ne do të takohemi sërish së shpejti. Besoj fuqishëm se bisedimet janë në interes të të dyja palëve. Synimi i tyre është përmirësimi i jetës së qytetarëve dhe zgjidhja e problemeve dhe duke e bërë këtë, Serbia dhe Kosova afrohen më shumë me Bashkimin Evropian”, thuhet ne deklaratën e zonjës Ashton.
Të dy kryeministrat shkuan në Bruksel me mbështetje nga vendet e tyre. Kryeministri serb më vendimin e qeverisë së tij për vazhdim bisedimesh, ndërsa kryeministri i Kosovës me një rezolutë të miratuar në Parlament për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga tha se takimi i sotëm “është një hap para në vendosjen e paqes dhe qëndrueshmërisë në rajon”. Sipas saj “ky takim shënon një hap përpara drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve dhe një rrugë përpara në arritjen e marrëveshjeve për një të ardhme më të mirë për vendet tona, që kanë pasur një të kaluar të vështirë. Fqinjësia e mirë është një prej kritereve në rrugën e integrimeve evropiane”, thuhet në reagimin e presidentes Jahjaga.
Çështja e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është pjesë e kushtëzimeve që u janë bërë të dyja vendeve për përfshirjen në procesin e integrimeve evropiane. Serbisë i është kushtëzuar data e fillimit të negociatave për anëtarësim, ndërsa Kosovës, ajo e fillimit të negociatave për marrëveshjen e stabilizim asocimit.
Të dyja palët janë shprehur të gatshme të bisedojnë qoftë për cështje teknike qoftë për ato politike. Por, Serbia ngulë këmbë se nuk do të njohë pavarësinë e Kosovës, ndërsa Prishtina hedh poshtë cdo mundësi të diskutimit për rregullimin e saj kushtetues e juridik.
Bashkimi Evropian nuk e ka vënë njohjen e pavarësisë si kusht për Serbinë, por në raportin e progresit ka kërkuar që ajo të respektojë tërësinë tokësore të Kosovës. Nga Prishtina është kërkuar ndërkaq, një qasje gjithëpërfshirëse në zgjidhjen e problemeve në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, ku nuk njihen dhe nuk pranohen institucionet e Prishtinës.
No comments:
Post a Comment