Motër Kristina Färber: Stop gjakmarrjes!
Motër Kristina Färber: "Të gjithë ta kundërshtojmë gjakmarrjen e
të punojmë më shumë, që të mos jetë nevoja të ndodhë shkishërimi."

Murgesha Kristina Färber angazhohet për ndërprerjen e gjakmarrjes në Shqipëri
DW: Motër Kristina, arqipeshkvitë e Shkodrës, Sapës dhe Lezhës
vendosën, që të shkishërojnë të gjithë katolikët shqiptarë, që kryejnë
vrasje për gjakmarrje. Çfarë prisni nga kjo masë e kishës?
Motër Kristina: Unë vetëm mund të lutem që njerëzit, që janë të prekur,
besimtarët në përgjithësi, ta marrin seriozisht këtë mesazh. Dhe që ne
të gjithë ta kundërshtojmë gjakmarrjen dhe të punojmë më shumë, që të
mos jetë nevoja të ndodhë shkishërimi. Unë lutem, që njerëzit ta marrin
seriozisht këtë vendim dhe unë do të bëj gjithçka, që njerëzit ta marrin
atë seriozisht.
DW: Ju keni 13 vjet që punoni në Shqipëri dhe keni dhënë në kontribut
shumë të madh në luftën kundër ushtrimit të gjakmarrjes. Si ka ndodhur,
që kjo problematikë u bë pjesë e punës dhe jetës suaj?
Motër Kristina: Kush jeton në Shqipëri, me sy çelë dhe zgjuar, sidomos
në veri, do të ndeshet heret apo vonë me fenomenin e gjakmarrjes. Që
javën e parë këtu gjatë punës me refugjatë dëgjova nga një prift për një
rast gjakmarrjeje. Ai duhej të shkonte në varrimin e viktimës dhe më
ftoi edhe mua të vija. Unë nuk shkova. Megjithatë këtë nuk munda ta
harroj dhe jam marrë me këtë fenomen, me kanunin e kështu me rradhë.
Pastaj u njoha këtu në Shkodër me një familje, e cila ishte prej 26
vjetësh në gjak. Ata u bënë miqtë e mi më të mirë. Ne konfrontoheshim
gjithnjë e më shumë si me gjendjen e mjeruar edhe të të ngujuarve edhe
të gjakmarrësit dhe kështu na u shtua edhe një detyre, krahas atyre të
tjerave.
DW: A është forcuar, apo është dobësuar gjakmarrja si fenomen në vitet e fundit?
Motër Kristina: Eshtë e vështirë të japësh një përgjigje, meqenëse unë
nuk kam qenë këtu më parë. Gjakmarrja sidoqoftë i ka mbijetuar
komunizmit, në të cilin ka qenë rreptësisht e ndaluar. Muajt e fundit të
këtij viti ka patur shumë viktima të gjakmarrjes.
DW: Pushteti i këtij ligji arkaik rëndon mbi familje e fise të tëra.
Njërëzit edhe po të donin, nuk dilnin dot nga ky rreth vicioz, sepse
ishte presioni i farefisit dhe i mjedisit, që i fliste sedrës së tyre.
Si mund të dilet nga ky qark?
Motër Kristina: Unë mendoj se zgjat shumë, shumë, derisa të bëhet
ndryshimi i mentalitetit. Unë nuk mendoj se ai nuk hiqet me masa të
jashtme, ndoshta pakësohet, zbutet. Unë e vras shumë mendjen për masat e
të tjera. Gjithnjë e më shumë arrij në përfundimin se njerëzit
shpirtërisht hyjnë në qorrsokak. Ne na nevojiten shumë lutje, shumë
bekim, shumë durim, biseda, transmetimi i besimit, shumë forcë. Fundja
vetëm lidhja e vertetë e thellë me Krishtin mund ta ndryshojë me të
vertetë njeriun - drejt kulturës së jetës - kundër kulturës së vdekjes.
Për këtë duhet shumë angazhim, një lidhje e thellë e qëndrueshme me
njerëzit, që të përballosh rastet e disfatave dhe në fund besimin, se
dashuria dikur fiton.
DW: Shumë herë merret gjak për cënimin e nderit dhe të krenarisë. A
është krenaria e tepruar mëkat i parë në këndvështrimin fetar?
Motër Kristina: Krenari kemi të gjithë në vetvete dhe kur krenaria na
pengon që të bëjmë të mira dhe na çon drejt së keqes, atëherë krenaria
është një qëndrim, që prodhon mekatin dhe na ndan nga Zoti.
DW: Shumë familje në gjak nuk jetojnë më në malësi, ku praktikohej
kanuni, por janë shpërngulur në qytete. Në ç'masë e ndryshon ambjenti i
ri mentalitetin e tyre. Apo ekziston rreziku, që të infektojnë mjedisin e
ri me gjakmarrjen?
Motër Kristina: Kanunin, ligjin e maleve, nuk e largon thjesht me
ardhjen në një ambjent tjetër, siç nuk kemi lënë as ne mentalitetin tonë
me ardhjen në Shqipëri. Ata vazhdojnë të jetojnë sipas kanunit. Se në
ç'masë e lë veten mjedisi të infektohet prej tij, varet prej secilit.
Gjakmarrja nuk është ngjitëse, me të nuk mund të infektohesh.
DW: Dëgjon që shumë të rinj, fëmijë të familjeve në gjak, nuk duan të
kenë të bëjnë me këtë problem. Nuk duan të marrin gjak, të bëhen vrasës,
largohen jashtë vendi pa gjurmë. A po ndodh një distancim, largim i
brezit të ri nga kanuni?
Motër Kristina: Eshtë e vështirë edhe për të rinjtë, për të dalë nga ky
ligj, nga mentaltiteti i Kanunit. Ai që ka lindur në të, rritet me të
dhe vitet e para të jetës e formësojnë njeriun. Secili djalë e di, që
kur lind, se do të duhet ta japë gjakun për fisin e tij, në qoftë se
kërkohet, edhe nëse është nevoja, duhet të marrë gjakun e tjetrit,
d.m.th. eventualisht duhet të bëhet gjakmarrës. Në procesin e
vetëdijësimit me të rinjtë tanë, (që i shoqërojmë prej më shumë se
dhjetë vjetësh), ka shumë, shumë debate, shumë vështirësi, shumë, shumë
pengesa. Kjo traditë është çimentuar dhe Kanuni nuk përbëhet vetëm nga
gjakmarrja. Që të dalësh nga kjo traditë është më shumë se një aventurë,
është një transformim, që kalon në shumë, shumë hapa të vegjël.
DW: Ju shoqëruat në verë një grup të rinjsh në gjak në një udhëtim
nëpër Gjermani, i cili përfundoi në një audiencë të Papës në Romë. Mbi
këtë udhëtim u shfaq edhe një film në televizionin gjerman. Çfarë të
mire kanë sjellë përvojat e këtij udhëtimi në jetën e të rinjve?
Motër Kristina: Të rinjtë kanë përjetuar se dikush interesohet për
fatin e tyre. Ata kanë përjetuar, se si mund të flasin për këtë çështje,
gjë që këtu është tabu. Për fat të keq pas udhëtimit kanë ndodhur disa
vrasje për gjak. Të rinjtë janë bërë më të pjekur përmes kësaj përvoje,
por ata e kanë përjetuar edhe një herë dhimbshëm kufizimin e ngushtë të
Kanunit dhe u duhej të bënin edhe një herë një vetëreflektim për
gjendjen e tyre. Ky natyrisht nuk ka përfunduar ende.
DW. Njëri nga të rinjtë, Kristiani, tregonte në film se jetonte prej 18
vjetësh i ngujuar në një dhomë. Si mund ta përballojë një njëri, që të
rritet në këto kushte? Çfarë zhvillimi merr ai?
Motër Kristina: Kushdo, që është i izoluar, është edhe i traumatizuar.
Shtëpia jote kthehet në burg dhe jashtë përgjon vdekja. Nuk ka zhvillim
të njëjtë të të ngujuarve. Çdo i ngujuar ka historinë e tij traumatike
dhe zhvillimi i fëmijëve dhe i të rinjve varet nga shumë, shumë faktorë.
Në secilin rast frika nga vdekja, izolimi social, turpi, përjashtimi,
varfërimi material si pasojë e izolimit nuk janë kushte të favorshme për
një zhvillim të shëndoshë, të tërësishëm.
DW: Sa është e vërtetë se dikush ju ka kërcënuar, duke dashur t'ju
pengojë në punën tuaj të pajtimit dhe ju i jeni përgjigjur, "mund të më
vrasësh, por do të të shfaqem çdo natë", dhe ai ju ka uruar jetë të
gjatë?
Motër Kristina: Unë nuk kam thënë se do të shfaqem si fantazmë, por që
shpirti im do ta vizitojë çdo natë. Po, unë i kam thënë gjakmarrësit, që
do të vazhdoj të shkoj tek të ngujuarit prej tij dhe ai mund të më
vrasë, po të dojë. Por veçse prite „vizitën“, kur të jem në qiell. Dhe
ai u largua pastaj menjëherë duke thërritur: „Dyqind vjeçe u bëfsh“.
Kurrë më nuk më ka shqetësuar. Unë thjesht e kam bekuar atë.
DW: Gjatë pushtetit komunist gjakmarrja nuk ushtrohej më, por me kaosin
e viteve të tranzicionit ajo u rigjallërua. A nuk tregon shteti
interesin e duhur për ta luftuar këtë fenomen, apo nuk e vë dot nën
kontroll atë?
Motër Kristina: Për interesimin e shtetit apo jo nuk mund të them
asgjë. Këtë nuk e di. Dhe nuk ia vlen të shtrosh pyetjen e fajit. Nga
secili kërkohet të bëjë punën e tij, atë që ka mundësi, për të luftuar
kundër kulturës së vdekjes. Gjithmonë shembulli vetjak ka për të qenë i
rëndësishëm. Varet për shembull, se si reagojmë ndaj një mallkimi, sa
jemi vetë të gatshëm për falim në gjërat më të vogla, apo jo. Unë mendoj
se në çdo rast pafuqishmëria luan një rol. Njerëzit janë në burg dhe
megjithatë merret gjak ndaj një tjetri. Gjatë komunizimit gjakmarrja
është dënuar shumë, shumë rëndë, na kanë thënë. Megjithatë Kanuni dhe
gjakmarrja kanë mbijetuar. Sikur të mund të përgjigjeshim PERSE vazhdon
të ekzistojë akoma ky fenomen, do të mund të bënim edhe më shumë kundër
tij.
DW: Ju si murgeshë ia keni përkushtuar jetën besimit dhe njerëzve. Por
të punosh për t'i prerë rrugën gjakmarrjes është një detyrë nga më të
vështirat. Si e përballoni këtë detyrë?
Motër Kristina: Unë mund të them vetëm kaq. Në statutet tona shkruhet,
që ne duam të jemi bashkarisht me njerëzit në rrugën drejt ATIT tonë në
qiell. Shkruhet edhe se ne duam të jemi shëmbëlltyrë e Krishtit.
Shkruhet se ne kapim shenjat e kohës dhe i kthejmë në detyrën tonë. Ne
jetojmë këtu në një zonë, ku shumë familje janë të prekura. Në qoftë se
ne e jetojmë vërtetë Ungjillin, nuk mund të bëjmë ndryshe, vetëm se të
kujdesemi. Pra detyra erdhi te ne, nuk shkuam ne te detyra.
DW: A kujdeseni edhe për familje muslimane, që janë në gjak?
Motër Kristina: Ne jetojmë këtu edhe me motrat dhe vëllezërit muslimanë
në respekt të plotë reciprok për njëri-tjetrin. Ne nuk bëjmë dallim në
përkujdesje. Megjithatë konstatojmë, se ne këtu kemi thuajse vetëm fise
katolike, që jetojnë në gjakmarrje. Por fenomeni është i pranishëm tek
të dyja fete, sepse Kanuni paraqitet gati si një „fe dytësore“.