Saturday, September 15, 2012

KLD penalizon disa gjyqtarë

Këshilli i Lartë i Drejtësisë trajtoi në mbledhjen e sotme, një axhendë të ngjeshur dhe me çështje shumë të rëndësishme për funksionimin e sistemit gjyqësor.
Problemi më i ndjeshëm dhe më i diskutueshëm i rendit të ditës, lidhej me përcaktimin e rregullave objektive, në lidhje me shqyrtimin e kërkesave për transferim të gjyqtarëve. Pas diskutimeve të shumta, me votat unanime të të gjithë anëtarëve të Këshillit u përcaktuan kriteret në shqyrtimin e kërkesave të kësaj natyre.
Aftësitë në ushtrimin e profesionit, vjetërsia si dhe rrethana të tjera që lidhen me vendin e ushtrimit të detyrës apo kushte familjare, të marra në konsideratë sipas rregullave të përcaktuara në këtë vendim, do t’i shërbejnë Këshillit në vendimmarrjen me objektivitet, për plotësimin e vendeve vakante në gjykata. Këshilli gjithashtu vendosi unanimisht të ndryshojë procedurën e dhënies së lejeve jo të zakonshme, për gjyqtarët e gjykatave të shkallës së parë dhe të apelit.
KLD vendosi gjithashtu unanimisht të rihapë kandidimin për funksione drejtuese në disa gjykata, me qëllim mundësimin e paraqitjes së kërkesave nga çdo gjyqtar i interesuar.
Gjithashtu u vendos të inspektohet veprimtaria gjyqësore e realizuar nga gjyqtari i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, Xheladin Karkini, për periudhën 01.01.2011 – 31.07.2012 si pasojë e shqetësimeve të përsëritura të paraqitura në Inspektoriat nga subjekte të ndryshme. Gjithashtu, Këshilli i kushtoi rëndësi të veçantë shqyrtimit të kërkesave për procedim disiplinor bërë nga Ministri i Drejtësisë, ndaj disa gjyqtarëve të gjykatave të rretheve gjyqësore.
Gjithashtu, me votat unanime të të gjithë anëtarëve, u vendos të shtyhet për një mbledhje të ardhshme diskutimi mbi përcaktimin e vendeve vakante që do t’u vihen në dispozicion tetë kandidatëve për magjistratë, që kanë mbaruar vitin e tretë të Shkollës së Magjistraturës, 2011-2012, të profilit gjyqtar. Shkak për këtë shtyrje u bë propozimi i Ministrit të Drejtësisë, Eduard Halimi, meqenëse prej këtij institucioni po realizohet një studim i përgjithshëm mbi numrin e nevojshëm të gjyqtarëve në çdo gjykatë të rrethit gjyqësor dhe apelit.
Ky studim i kryer në bashkëpunim me ekspertët e misionit EURALIUS, ka për qëllim të rrisë efektivitetin e punës në gjykata, duke i garantuar publikut një shërbim më cilësor e më të shpejtë. Ndërkohë, KLD përcaktoi Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, si institucionin ku do të kryejnë stazhin profesional si gjyqtarë, kandidatët për magjistratë, të cilët kanë përfunduar vitin e dytë të Shkollës së Magjistraturës 2011-2012.

No comments:

Post a Comment