Saturday, September 15, 2012

Rama: Topi e Spahiu të flasin qartë me kë janë. Unë kryeministër

Edi Rama i ka te qarta idete per te ardhmen e vendit, partise, qeverisjen, zgjedhjet dhe ata qe kane keqqeverisur apo kane neperkembur nje popull te tere. Nuk do kete shitje te pasurise kombetare te vendit, drejtesi per te gjithe nepermjet reformimit te drejtesise, ndeshkim per te gjithe abuzuesit e ketij sistemi, zhvillim dhe rikthim dinjiteti te Shqiperise se neperkembur nga pushteti aktual. I ben thirrje Bamir Topit dhe Kreshnik Spahiut qe te dalin nga qypi ky jane futur dhe te mos flasin si miza ne te, por te shprehen qarte nese jane me poziten apo opoziten, me popullin apo me Saliun. Rama shprehet i bindur se PS ka program te qarte per masat popullore, eshte e vendosur dhe do te fitoje zgjedhjet e ardhshme per Rilindje Kombetare….
Kryetari i PS shprehet i bindur se opozita do të fitojë zgjedhjet. Ai deklaroi se nëse LSI do të dalë nga qeveria, ata nuk do i mbyllin derën në fytyrë. Duke folur për FRD, Edi Rama tha se Bamir Topi nuk duhet të flasë si miza në qyp, por të deklarojë nëse është opozitë apo opozitë e opozitës. Sipas Ramës, beteja ndaj Berishës është betejë ndaj një kapitulli të tërë. Rama tha se PS është kundër mënyrës se si po privatizohet Albpetrol. Sipas tij një privat po merr fuqinë e një ministrie. Rama tha se në seancën e radhës do e votojnë imunitetin. Ai nuk e komentoi lëvizjen Nano, duke thënë se është inekzistente
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, duke folur në emisionin “Tonight” të Ilva Tares, tha se opozita do i fitojë zgjedhjet e ardhshme.
Edi Rama tha se programi për Rilindja Shqiptare është domosdoshmëri për ekonominë, rendin, shoqërinë.
Rama ka folur gjatë për çështjen e ekonomisë në vend, duke iu referuar sidomos një raporti të The Economist ku theksohet se Berisha mund të rrëzohet nga pushteti për shkak të gjendjes ekonomike.
“Në Shqipëri është bërë e pamundur të bësh biznes për shkak të presionit të korrupsionit.Qeveria e mohoi krizën. Shqipëria nuk e ndjeu në fillim krizën, por ajo erdhi më vonë dhe është më e fortë.
Ne do i heqim taksën biznesit të vogël dhe do bëjmë një rikonfigurim rrënjësor taksës për biznesin. Biznesi i vogël nuk mund të paguajë njësoj si ai që fiton miliona. Biznesi sot paguan taksën e kohës dhe të korrupsionit, ne do i heqim ato.
Kemi ekspertë vendas e të huaj për sistemin e taksimit. Biznesi i madh është i interesuar për ritjen e fuqisë blerëse.
Taksa e sheshtë sot është një grabitje,” tha Rama.
Duke folur për faktin se pse opozita i ndërpreu protestat, Rama tha se më 8 maj mbarë bota e pa që kjo qeveri i vjedh zgjedhjet.
“Në zgjedhjet e majit shkuam si një rezistencë opozitare.
Shteti qeveriset nga një qeveri që nuk ka fituar zgjedhjet.
Të gjithë ndërkombëtarët kanë kërkuar që Shqipëria të ketë zgjedhje të lira,” tha Rama.
Rama ka komentuar edhe shitjen e Albpetrolit duke thënë se është kundër skemës së privatizimit.
“Ne kemi qenë kundër skemës së privatizimit të Albpetrol. Është një skemë që e zhvesh shtetin dhe publikun nga çdo lloj e drejte mbi pasurinë më të madhe që ka ky vend, që është nafta. Është një skemë që i jep një subjekti privat jo vetëm fuqinë e një ministrie, por edhe i dorëzon një subjekti privat një element themelor të sigurisë energjetike të vendit. Si ka mundësi që privatizohet ajo që është e drejta e qeverisë? Si ka mundësi që të privatizohet një ekskluzivitet i gërmimeve në det? Si mund të privatizohet e ardhmja e energjetikës? Kjo qeveri privatizon për të grabitur popullin e vet dhe për t’ia kaluar individëve pasuri dhe të tjera aq marramendëse sa populli i tërë është viktima e kësaj marramendje,” tha Rama.
Duke komentuar pyetjen se çfarë do bëjë opozita në pushtet, a do të anulojë këto marrëveshje apo jo, Rama tha:“Kush ka marrë para pa fund në kurriz të publikut, do ia kthejmë ato publikut. Kush ka fituar para falë aftësive të tij dhe brenda të gjithë normave të ligjit, do e vendosim në piedestal.”
Ai komentoi edhe çështjen e privatizimit të katër hidrocentraleve. “Shqiptarët duhet ta dëgjojnë që këto katër asete të pasurisë të tyre janë rindërtuar plotësisht këto katër vitet e fundit me paratë e shqiptarëve dhe janë komplet në eficencë. Shqiptarët përmes shtetit marrin prej këtyre hidrocentraleve një shumë prej 20 milion dollarë fitim. Pyetja është pse duhet të shiten këto? Sot KESH, kompania që ende është e publikut, ka 250 milion dollarë borxh. Vetëm këtyre katër hidrocentraleve në periudhën e fundit u ka 3.5 milion dollarë borxh. Ne mendojmë se tenderi dështoi se këta zotërinj duan ta shesin këtë pasuri duke ia kaluar gjitha borxhet shtetit dhe këtyre duke iu dhënë atë helikën që prodhon para. Kjo që bën Berisha të marrë ca para shpejt e shpejt e t’i fusë në arkën e zbrazur.”
Edi Rama tha se vitin e ardhshëm do dalin aq shumë njerëz në votime sa nuk do ketë mundësi që të vidhen votat. Rama solli si shembull numrin e lartë të votuesve për zgjedhjet lokale.
“Votën do e mbrojmë ashtu siç e mbrojtëm me sukses në disa bashki të mëdha të vendit.
Ne duhet dhe do të përgatitemi që për çdo qendër votimi, jo vetëm të mbrojmë votën, por edhe të nxjerrim në votim aq shumë qytetarë sa hajduti të mos arrijë në asnjë mënyrë që duke futur dorën ta përmbysë rezultatin,” tha Rama.
“Sot e gjithë ditën Sali Berisha nuk qeveris se ka fituar, por qeveris sepse ka në qeveri një pjesë që iu bashkërendit dhe i dha shumicën. Sikundër në 2005-ën shfrytëzoi çarjen në kampin e majtë.”
I pyetur në lidhje me bashkëpunimet për zgjedhjet e ardhshme, Rama tha: “Ne nuk do bashkëpunojmë me asnjë parti që është në qeveri. Ne do bashkëpunojmë me çdo parti që do rreshtohet në frontin për ndryshimin e madh në vitin 2013. Nëse LSI do të bashkohet me kampin opozitar, ne nuk do i përplasim derën në fytyrë. Por fitorja e zgjedhjeve të ardhshme nuk do varet asnjë fije nga ajo që do të bëjë LSI. Dhe kjo jo në aleancë me parti të ndryshme, por me ata qytetarë që nuk kanë fuqi të sigurojnë jetesën. Pozicioni në opozitë nuk varet nga karrigia që shikon në horizont. Çilido qoftë që dëshiron të bëhet pjesë e këtij misioni, patjetër që sot është në opozitë. Nuk ka arsye në botë të shkojë të ulet në prehrin e Saliut.”
Edi Rama nuk ka preferuar të komentojë lëvizjen e Fatos Nanos. “Unë preferoj të mos i përgjigjem kësaj pyetje. Do flas për një lëvizje që nuk e di ku është.”
Kreu i PS ka rezervuar një mesazh për dy partitë e reja nga e djathta.
“Unë mendoj se Bamir Topi duhet të dalë nga qypi dhe të mos flasë si miza në qyp dhe të tregojë se çfarë do të bëjë. Ata duhet ta ndajnë a janë një lojë e mundshme e Saliut, që do thotë se do marrin vota nga të pakënaqurit për të shkuar prapë tek Saliu, apo do t’i kundërvihen deri në fund qeverisë. Nga pozicioni kundër qeverisë dhe kundër opozitës kanë lindur paterica të opozitës.
Me Aleancën KuqeZi është e njëjta gjë. Ata duhet të ndajnë qartë pozicionin e tyre, sepse përsëri ekziston rreziku që t’i shohim nesër bashkë me Saliun. Nuk e kuptoj si mund të jesh në opozitë me Saliun dhe të bësh opozitën e opozitës. Ai nuk është në opozitë me karrigen e Saliut, por me një kapitull të tërë të historisë së këtij vendi.”
Rama u bëri thirrje shqiptarëve që të dalin në votime se kjo është arma për të luftuar vjedhjen e votave. Ai deklaroi se pas 10 muajsh do jetë kryeministri i këtij vendi.

No comments:

Post a Comment