
Detaje
tronditëse dhe që rrisin shumë dyshimet për mënyrën se si u vra
kryekomisar Adem Tahiraj mbrëmjen e së enjtes në Shijak. Shefi i
Komisariatit Shijak dhe Ilir Xhakja janë parë së bashku në ambientet e
një lokali në Katund-Sukth para ngjarjes. Dëshmitarë të shumtë kanë
deklaruar këtë fakt, që nuk dihet nëse është dokumentuar nga grupi
hetimor, pavarësisht se Policia e Shtetit njoftoi se ishte në operacion.
Kryekomisari është parë të dalë nga lokali i zonës dhe të drejtohet për
nga makina e tij e punës. Por sapo ka hapur derën, është ndjekur nga
pas prej Ilir Xhakjas, 38-vjeçarit të liruar në mënyrë të mistershme nga
gjykata, që përflitet nga FBI si mik i Sokol Olldashit dhe që ishte i
lirë, megjithëse i dyshuar për katër vrasje. Aty është qëlluar me
pistoletë me një krehër karikatori. Tahiraj ka qenë i vetëm dhe i
pashoqëruar. Me të nuk kanë qenë as shoferi dhe as ndihmësi siç fliten.
Nuk ka pasur as makinë Patrulle. Dëshmitarët thonë se vërdallë zonës
kanë qenë vetëm dy oficerë që po qëndronin rastësisht në këtë zonë, në
distancë të konsiderueshme dhe që nuk kishin dijeni për lëvizjet e
kryekomisarit. Paraprakisht konfirmohet debati i fortë mes palëve. E
moshuara e plagosur deklaroi publikisht se mes kryekomisarit dhe Xhakjas
ka pasur konflikt me zë të lartë dhe ajo është bërë kurioze për të
parë. Gjetja e Tahirajt te dera e makinës konfirmon faktin se ai ka qenë
duke hipur në mjet. Por informacionet e rezervuara flasin për një
grindje të ashpër brenda lokalit mes Xhakjes, Tahirajt dhe nipit Ledio
Krasniqi, në kërkim. Nuk dihet përse kryekomisari e ka takuar Xhakjen,
ky ligjërisht i lirë pas vendimit të gjykatës dhe ende në apelim, ndërsa
ishte kontingjent i rrezikshëm. Policia e Shtetit thotë se ishte në
krye të detyrës. Por një fakt i tillë nuk shpjegohet prej Burgajt duke e
shoqëruar me patrullat në operacion. Cdo aksion shoqërohet me
postblloqe e përforcime. Prej një viti Tahiraj ishte shef komisariati
dhe me 20 vite karrierë në operacione speciale. Pra ai e njihte Xhakjan
dhe nuk do të shkonte kurrë i vetëm për t’i bërë kontroll atij apo të
afërmve të tij nëse kishte dyshime. Kjo përforcon edhe një herë se nuk
ka pasur plan operacional dhe se kryekomisari sipas dëshmitarëve ka qenë
me të dyshuarin para vrasjes. Gjatë sherrit në lokal Xhakja mund të
jetë nxehur (motivet ende mbeten mister, por backgroundi i Xhakjes lë të
nënkuptohet motivi), e ka ndjekur nga pas kryekomisarin duke e vrarë në
vend. Më tej është larguar dhe fshehur në Shënavlash. Aty është
strehuar nga miqtë e tij, deri dhe politikanë apo autoritete të larta
vendore të qarkut. Madje ka një fakt tepër interesant, që për
vetëdorëzimin e Xhakjas kanë negociuar politikanë dhe autoritete
vendore, që janë aleatë apo pjesë e qeverisë aktuale. Të gjitha këto
informacione mund të zbardhen me kalimin e ditëve apo javëve, pasi
situata të qetësohet dhe të zbardhet në detaje ngjarja, pavarësisht se
Xhakja ka thënë se nuk e njihte shefin e komisariatit, por e mendonte si
një njeri që donte t’i bënte keq atij dhe nipit të tij !!!. Por në fakt
kryekomisari kishte në detyrë në Shijak po aq kohë sa ishte i lirë
Xhakja prej vendimit të gjykatës. Për më tepër që kryekomisari ishte me
makinën e punës, që lexon “Policia”. Një kriminel që akuzohet për 4
vrasje, i dyshuar dhe nën vëzhgim, që e di rrezikun, por nuk njeh
kryekomisarin apo makinat e policisë, kjo është e vështirë për t’u
besuar si alibi…për më tepër që nuk mund të mungojë ndonjë surprizë edhe
nga ekspertiza balistike. Fillimisht u tha se u qëllua me automatik,
kurse sot se iu kap arma e krimit pistoletë “Glock”. E nëse arma nuk
përputhet me predhat atëherë…..Përsëri gjykata do e dënojë për
armëmbajtje pa leje…si zakonisht.
No comments:
Post a Comment